Transmetuar më 01-04-2026, 13:59

TIRANË, 1 prill 2026 – Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka njoftuar një sërë reformash që synojnë digjitalizimin e administratës publike dhe rritjen e kontrollit mbi investimet e huaja.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ajo deklaroi se në një afat të mesëm administrata shqiptare do të kalojë plotësisht në modelin “paperless”, duke eliminuar dokumentet fizike dhe firmat shkresore.

“Do të eliminojmë shkresat dhe dokumentet në letër. Në një kohë afatmesme, të gjitha proceset do të kryhen online dhe administrata do të funksionojë pa dokumente fizike,” u shpreh ministrja.

Në të njëjtën kohë, ajo bëri të ditur se është miratuar krijimi i një bordi të posaçëm që do të shqyrtojë investimet e huaja, veçanërisht ato që vijnë nga vende jashtë Bashkimit Evropian.

Sipas Ibrahimajt, në fazën fillestare, ky bord do të fokusohet në sektorë të ndjeshëm si media dhe mbrojtja, ndërsa pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kompetencat e tij do të shtrihen në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Ministrja njoftoi gjithashtu një fond prej 100 milionë eurosh që do t’i vihet në dispozicion Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, me qëllim mbështetjen dhe nxitjen e investimeve në vend.

Reformat e propozuara synojnë modernizimin e administratës publike dhe rritjen e transparencës, si dhe forcimin e mekanizmave mbikëqyrës për investimet strategjike në Shqipëri.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit