Transmetuar më 01-04-2026, 12:46

TIRANË, 1 prill 2026 – Jorgo Goro, ish-kryebashkiaku i Himarës, është rikthyer në burg pas vendimit të Apelit të Posaçëm të GJKKO-së, i cili la në fuqi dënimin ndaj tij për tjetërsim prone.

Pas shpalljes së vendimit, Goro u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë në Vlorë, ku u ekzekutua masa e sigurisë “arrest me burg”.

Ish-zyrtari u shpall fajtor për tjetërsimin e një pasurie në zonën e Livadhës, çështje për të cilën ishte dënuar më herët edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë. Dënimi fillestar prej 2 vitesh burg u reduktua në 1 vit e 4 muaj, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar.

Sipas Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas zbritjes së kohës së kaluar në paraburgim, Goro ka për të vuajtur edhe 6 muaj e 10 ditë heqje lirie.

Më herët, ai kishte kryer 17 muaj burg nga një tjetër dënim prej 2 vite e 20 ditësh, që lidhej me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej rreth 10 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Gjilekës, në Himarë.

Çështja ndaj tij konsiderohet pjesë e hetimeve mbi abuzimet me pronat në zonat bregdetare, një fenomen që prej vitesh mbetet në fokus të drejtësisë shqiptare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit