

TIRANË, 1 prill 2026 – Bashkëshortja e Mirit, banorit të “Big Brother VIP 5”, Rabea Shahini, ka reaguar publikisht ndaj aludimeve mbi marrëdhënien e tyre, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
E ftuar në emisionin “Wake Up”, ajo foli për rrugëtimin e partnerit të saj brenda shtëpisë së formatit televiziv, si dhe për zërat që kanë qarkulluar në media lidhur me martesën e tyre.
Duke iu referuar komenteve që vinin në dyshim raportin e çiftit, Shahini u shpreh se është mësuar me deklarata të pavërteta, për shkak të përvojës së saj në politikë. “Ka shumë gjëra që thuhen dhe që nuk janë të vërteta. Ne as jemi ndarë, as kemi ndonjë marrëdhënie të pazakontë,” theksoi ajo.
Ajo hodhi poshtë në mënyrë kategorike pretendimet se martesa me Mirin është lidhur për përfitime dokumentesh, duke sqaruar se ai ende nuk ka marrë nënshtetësinë gjermane, ndonëse e ka pasur këtë mundësi. Sipas saj, vendimi i tij lidhet me dëshirën për të vijuar jetën dhe karrierën në Shqipëri.
“Miri ka ndërtuar karrierën e tij këtu dhe kjo nuk mund të vazhdojë nëse ai nuk është në vend,” u shpreh Shahini.
Ajo pranoi gjithashtu se distanca mes tyre për shkak të angazhimeve profesionale përbën një sfidë, pasi vetë punon në Parlamentin Gjerman dhe nuk mund të zhvendoset lehtësisht. “Është një sakrificë për të dy, veçanërisht për Mirin, për shkak të lidhjes së fortë që ka me vajzën e tij,” tha ajo.
Duke folur për marrëdhënien baba-bijë, Shahini theksoi afërsinë e veçantë mes tyre, duke zbuluar se ndajnë shumë aktivitete të përbashkëta dhe kanë ngjashmëri të dukshme në karakter dhe sjellje.
Në përfundim, ajo ndau edhe një moment personal, duke ilustruar lidhjen e ngushtë mes tyre, teksa i kishte gjetur të dy duke fjetur në të njëjtin pozicion, një detaj që, sipas saj, tregon raportin e tyre të veçantë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






