

Pogradec – Dy shtetas janë arrestuar nga Policia e Shtetit pasi dyshohet se tentuan të marrin me forcë në automjet një 17-vjeçar, ndaj të cilit ushtruan edhe dhunë fizike.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3 të Pogradec, ku menjëherë pas marrjes së informacionit për një konflikt, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të identifikuar autorët.
Në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, u bë e mundur identifikimi dhe kapja e dy të dyshuarve, shtetasit me iniciale M. Xh., 33 vjeç dhe A. H., 32 vjeç, të cilët ishin larguar nga vendngjarja me automjet. Arrestimi i tyre u realizua në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Prrenjasit.
Nga hetimet paraprake rezulton se dy të arrestuarit, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë tentuar të detyrojnë të miturin të hipë në automjetin e tyre, si dhe e kanë goditur fizikisht, duke e dëmtuar me mjet prerës (thikë) në dorë.
17-vjeçari ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në përfundim të veprimeve procedurale, ndaj dy shtetasve rëndojnë akuzat për “heqje të paligjshme të lirisë”, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe “plagosje e lehtë me dashje”.
Materialet i janë referuar Prokuroria e Korçës për vijimin e hetimeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






