Transmetuar më 01-04-2026, 10:56

Milano – Një infermier me origjinë shqiptare, i punësuar në Burgu i Operas, është arrestuar nga autoritetet italiane, nën dyshimet për përfshirje në aktivitete të paligjshme brenda institucionit penitenciar.

Sipas hetimeve, infermieri akuzohet se gjatë turneve të punës furnizonte në mënyrë të përsëritur të burgosur me sende të ndaluara, kryesisht në favor të bashkëatdhetarëve të tij.

Arrestimi në flagrancë u krye pas një operacioni të policisë, e cila kishte vënë nën vëzhgim lëvizjet e tij për shkak të dyshimeve të mëparshme. Rasti konkret lidhet me dorëzimin e një “pakete” për një të burgosur shqiptar.

Nga hetimet rezulton se infermieri kishte marrë më herët një paketë nga një shtetas shqiptar 44-vjeçar në Milano, e cila më pas u tentua të futej në ambientet e burgut. Brenda saj u gjetën pesë telefona celularë, një karikues me adaptorë të shumtë si dhe 1,700 euro në kartëmonedha.

Sipas autoriteteve, sendet ishin të destinuara për një të dënuar shqiptar, i identifikuar si Shemsi Karaj, i cili po vuan dënimin për një seri vjedhjesh banesash në zonën e Bergamos dhe provinca të tjera të rajonit të Lombardisë, citon Ilgiorno.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit