

Vlorë, 1 prill 2026 – Një operacion i forcave speciale “Shqiponja” është finalizuar me ndalimin e dy të miturve, pas një ndjekjeje që zgjati rreth 30 minuta përgjatë bulevardit “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës.
Sipas burimeve paraprake, efektivët e policisë kanë tentuar të ndalojnë një automjet tip “Golf”, drejtuesi i të cilit nuk i është bindur urdhrit për ndalim, duke vijuar lëvizjen dhe shmangur kontrollin. Për pasojë, forcat e rendit kanë ndërmarrë ndjekjen, e cila ka përfunduar me një përplasje të qëllimshme.
Si rezultat i përplasjes, dy efektivë policie kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjatë incidentit janë dëmtuar edhe tre automjete policie.
Në aksident është përfshirë edhe një automjet tjetër tip “Benz”, i cili fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.
Brenda automjetit të ndaluar ndodheshin dy minorenë, të cilët janë shoqëruar nga autoritetet për veprime të mëtejshme procedurale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






