Transmetuar më 31-03-2026, 15:06

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka intensifikuar hetimet lidhur me skandalin e tenderave në Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, duke kryer kontrolle në disa prona të dyshuara si pasuri të fshehura.

Sipas burimeve hetimore, janë ushtruar kontrolle në një vilë në Qerret si dhe në dy banesa të tjera, të cilat dyshohet se lidhen me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Ndërkohë, më herët kryeministri Edi Rama kishte deklaruar publikisht se Karçanaj jetonte në një banesë me qira. Megjithatë, SPAK dyshon se ajo zotëron pasuri të përfituara nga aktivitet i paligjshëm.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu një apartament të lidhur me ish-zëvendësdrejtoreshën e AKSHI-t, Hava Delibashi.

Një ditë më parë, SPAK ka ushtruar kontrolle edhe në dy vila në Palasë, në pronësi të biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët janë shpallur në kërkim.

Sipas akuzave, Agasi dhe Beqiri dyshohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që synonte përvetësimin e tenderave publikë të AKSHI-t, si dhe përfshirjen në veprimtari të tjera të paligjshme.

Në kuadër të këtij hetimi, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Karçanajn, ndërsa për Agasin dhe Beqirin është vendosur masa “arrest me burg”.

Hetimet, që kanë nisur prej rreth një viti, fokusohen në 12 procedura tenderimi të dyshuara për shkelje të ligjit. Në total, autoritetet kanë vendosur masa sigurie për 8 persona, të dyshuar për vepra penale si “grup i strukturuar kriminal”, “shkelje e barazisë në tendera”, “korrupsion”, “shpërdorim detyre” dhe “pastrim parash”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit