

Grupi i hakerave “Homeland Justice”, i njohur për sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe së fundmi goditi infrastrukturën teknologjike të Kuvendit të Shqipërisë dhe Postës Shqiptare, ka njoftuar se sot ka kryer një akt kibernetik ndaj sistemeve të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Sipas njoftimit të publikuar nga grupi në platformën Telegram, ata pretendojnë se kanë hyrë në rrjetet e këtyre institucioneve dhe kanë marrë të dhëna dhe dokumente që lidhen me funksionimin e brendshëm të tyre.
Nga ana tjeter, Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar duke bërë të ditur se verifikimet e kryera nga ekspertët e saj të sigurisë së IT-së nuk kanë konstatuar gjurmë komprometuese. Sipas Prokurorisë stafet e IT-së po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.
“Për shkak të interesit në lidhje me hackerimin e mundshëm të faqes zyrtare së Prokurorise së Pergjithshme, ju bëj me dije se nga verifikimet e kryera nga eskpertet e sigurisë së IT-së nuk janë konstatuar gjurmë kompromentuese deri në momentin që flasim në formën hackerimit. Stafet tona të IT-së janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën” , thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Po ashtu edhe Gjykata e Lartë ka sqaruar se nuk ka pësuar sulm kibernetik ndaj sistemeve të brendshme.
“Në lidhje me interesimin tuaj, ju bëjmë me dije se Gjykata e Lartë nuk ka pësuar sulm kibernetik. Sipas pretendimeve të Homeland Justice, grupit në Telegram, faqja gjykata.gov.al, e cila është në menaxhimin e plotë të KLGj-së, ka pësuar sulm kibernetik. Ky sulm nuk ka asnjë lidhje me sistemin e brendshëm apo faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë”, njofton Gjykata.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






