

Një çift amerikan ka thyer stereotipet e emigrimit për lindje duke zgjedhur Shqipërinë për të sjellë në jetë fëmijën e tyre. Ian dhe Annie Lanphier, të vendosur prej gjashtë muajsh në Shkodër, janë bërë prindër të një djali, të cilit i vendosën emrin Arlo Dren Lanphier, duke përfshirë një emër të mesëm me origjinë shqiptare.
Annie, nëna e vogëlushit, shprehet se vendimi për të lindur në Shqipëri ishte më i thjeshtë se sa mund të pritej.
“Ka qenë një përvojë shumë pozitive. Kishim planifikuar zhvendosjen dhe më pas mësuam se isha shtatzënë, kështu që ishte një surprizë. Gjithçka shkoi më mirë se në SHBA. Duke parë sa shumë fëmijë ka këtu, mendova se jam në duar të sigurta. Shqipëria ka një normë më të mirë vdekshmërie në maternitet se SHBA, kështu që u ndjeva e qetë”, tregon Annie Flaherty për Euronews.
Babai, Ian Lanphier, u shpreh i magjepsur nga qyteti i Shkodrës dhe nga mikpritja e njerëzve, duke shtuar se planifikojnë të ndërtojnë jetën e tyre aty.
“Njerëzit këtu janë jashtëzakonisht mikpritës dhe miqësorë. Ritmi i jetës është më i qetë, mund të ndalosh dhe të pish një kafe, dhe ne e vlerësojmë shumë këtë. Na pëlqeu edhe emri ‘Dren’ për djalin, për të krijuar një lidhje me Shqipërinë, nëse ai në të ardhmen do të ndjejë këtë identitet”, tha Ian.
Shefi i shërbimit të maternitetit në Shkodër, Sajmir Selmanaj, e cilëson këtë rast si të veçantë:
“Shtatzënia është ndjekur rregullisht dhe lindja u krye me operacion. Çdo gjë shkoi normalisht dhe pacientja mbeti shumë e kënaqur. Nuk është e zakonshme që shtetas nga SHBA të zgjedhin të lindin këtu, por ajo u surprizua pozitivisht nga kushtet dhe kujdesi”, tha Selmanaj.
Ian shtoi se zgjedhja e tyre ka ngjallur habi tek disa shqiptarë, por ai beson se vendimi ishte i duhuri:
“Shumë shqiptarë na thonë me shaka: ‘Do të shkëmbenim vendet me ju dhe do të jetonim në SHBA.’ Por mendoj se kohët po ndryshojnë. Shqipëria ka një të ardhme shumë të ndritur dhe ka shumë mundësi”, tha ai.
Ky rast vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë të huaj po zgjedhin Shqipërinë për të jetuar, duke vlerësuar kostot e jetesës, ritmin më të qetë dhe mikpritjen. Historia e Ian dhe Annie-t tregon se Shqipëria mund të jetë një vend i dëshirueshëm edhe për familjet ndërkombëtare që kërkojnë një ambient të sigurt dhe mikpritës për të ndërtuar jetën e tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






