

Këshilli i Ministrave ka miratuar Skemën Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026, e cila sjell ndryshime thelbësore në mënyrën e mbështetjes së fermerëve, duke kaluar nga nafta falas tek subvencionet direkte për sipërfaqet e mbjella.
Për herë të parë, fermerët do të përfitojnë 10 mijë lekë për çdo hektar tokë të mbjellë me kultura bujqësore, me kusht që sipërfaqja e kultivuar të jetë jo më pak se 3 hektarë.
Fondi total i kësaj skeme arrin në 2.5 miliardë lekë dhe synon të rrisë mbështetjen financiare dhe përfshirjen në sektorin bujqësor dhe blegtoral.
Ndër ndryshimet kryesore, skema parashikon zgjerimin e mbështetjes për blegtorinë, duke ulur pragjet e përfitimit dhe rritur subvencionet për disa kategori:
Për mbarështuesit e lopëve, subvencioni rritet në 12 mijë lekë për krerë (nga 10 mijë), me kusht minimal prej 10 krerësh. Për bletarët, mbështetja dyfishohet në 20 mijë lekë, ndërsa pragu ulet në 25 koshere (nga 50). Për bagëtitë e imëta, subvencioni arrin në 1,500 lekë për krerë, me minimum 50 krerë.
Për herë të parë, skema përfshin edhe mbështetje për sektorin e derrave, me 7 mijë lekë për çdo dosë në fermat që kanë të paktën 5 krerë.
Gjithashtu, rritet mbështetja për teknologjitë bujqësore, ku kontrolli biologjik në sera do të subvencionohet deri në 70% të kostos, nga 50% që ishte më parë.
Në fokus janë edhe të rinjtë dhe bashkëpunimi në bujqësi. Fermerët e rinj do të përfitojnë deri në 70% të investimeve, me një tavan prej 1 milion lekësh, ndërsa shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor do të mbështeten në masën 100%.
Skema përfshin gjithashtu mbështetje për akuakulturën në ujërat e brendshme, me deri në 200 mijë lekë për blerjen e rasatit, duke synuar zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.
Me këto ndryshime, qeveria synon të rrisë efektivitetin e subvencioneve dhe numrin e përfituesve, duke orientuar mbështetjen drejt prodhimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






