Transmetuar më 30-03-2026, 19:16

Trajneri i Kombëtares së Turqisë, Vincenzo Montella, ka vlerësuar maksimalisht përfaqësuesen e Kosova në prag të finales së “play-off”-it për Botërorin, që do të zhvillohet më 31 mars.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, tekniku italian theksoi se Kosova ka arritur me meritë deri në këtë fazë, duke evidentuar qartësinë taktike dhe organizimin e skuadrës.

“Kosova ka ardhur deri këtu me meritë. Nga ana taktike dallohet qartë struktura e tyre, kanë ide të qarta loje, çka reflektohet edhe në fushë. Do të jetë një finale dhe ne do të përgatitemi maksimalisht, duke ditur saktësisht se çfarë kërkojmë në këtë ndeshje”, u shpreh Montella.

Duke folur për ecurinë e ekipit të tij, Montella nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme nga Federata Turke e Futbollit, të cilën e konsideroi kyçe për rezultatet e arritura.

Ai theksoi se Turqia është kthyer në një kombëtare të respektuar ndërkombëtarisht, duke përmendur përmirësimin në renditjen e FIFA dhe sukseset në Liga e Kombeve.

Trajneri italian u shpreh gjithashtu emocional për raportin me lojtarët, duke i cilësuar ata si pjesë të familjes së tij.

“Pavarësisht rezultatit në ndeshjen ndaj Kosovës, mendimi im për lojtarët nuk do të ndryshojë kurrë. Nuk do t’i ndërroja me asgjë”, deklaroi Montella, duke theksuar objektivin e madh të ekipit për kualifikimin në Kupën e Botës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit