Transmetuar më 30-03-2026, 18:30

Vjosa Osmani ka marrë një përgjigje negative nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me kërkesën e saj për sqarime mbi procedurën e emërimit të anëtarëve të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar kërkesën e Presidentes si të papranueshme, duke argumentuar se ajo nuk i plotëson kriteret e përcaktuara për pranueshmëri sipas Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe rregullores së brendshme të institucionit.

Çështja lidhet me situatën e krijuar pas kërkesës së partisë në pushtet të kryeministrit Albin Kurti për emërimin e tre anëtarëve në KQZ. Presidentja Osmani kishte kërkuar interpretim dhe sqarim mbi këtë proces, duke ngritur çështjen si konflikt kompetencash.

Megjithatë, sipas Gjykatës, kërkesa nuk përbën konflikt të mirëfilltë të kompetencave kushtetuese. Në arsyetim theksohet se çështja e ngritur lidhet me një kompetencë të përcaktuar nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe jo drejtpërdrejt nga Kushtetuta.

“Konflikti i kompetencave nuk është ngritur përkitazi me kompetenca kushtetuese të Presidentes”, thuhet ndër të tjera në vendim, duke iu referuar edhe praktikës së mëparshme gjyqësore të Gjykatës.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vlerëson se, ndonëse Presidentja është palë e autorizuar për të ngritur çështje të tilla, në këtë rast nuk janë përmbushur kriteret kushtetuese për trajtimin e një konflikti kompetencash, çka çoi në shpalljen e kërkesës si të papranueshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit