

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj atyre që i cilësoi si “tradhtarë” brenda forcës politike, gjatë një mbledhjeje me drejtuesit dhe koordinatorët politikë.
Lideri demokrat u ndal te individë brenda partisë që, sipas tij, kanë bashkëpunuar me kundërshtarët politikë.
Ai përmendi raste konkrete të mbështetjes së kandidatëve të tjerë apo votimit të vendimeve të maxhorancës, duke theksuar se persona të tillë nuk kanë vend në radhët e PD-së.
“Mos të mendojë askush se duke i shërbyer socialistëve do të jetë pjesë e jona. Ka njerëz që shiten dhe bëjnë pazare, por demokratët janë më të fortë,” deklaroi Berisha.
Ai bëri thirrje për rritje të anëtarësimeve dhe për bashkim të të gjithë qytetarëve që nuk pajtohen me situatën aktuale, duke shtuar se Partia Demokratike është në fazën përfundimtare të betejës së saj politike.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi rëndësinë e organizimit dhe pajisjes së anëtarësisë me dokumentacionin përkatës, duke kërkuar kontroll të plotë të procesit. Ai nënvizoi se opozita duhet të bëjë gjithçka për t’u dëgjuar, si nga qytetarët, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.
Sipas tij, rruga kryesore mbetet protesta dhe revolta qytetare.
“Për t’u dëgjuar kemi vetëm një rrugë: protestën dhe revoltën, të cilat kanë dhënë efekte pozitive,” u shpreh ai, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për vendime që, sipas tij, “kanë poshtëruar qytetarët”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






