

Mbretëria e Bashkuar – Një 19-vjeçar shqiptar, Henri Nikolli, është dënuar me 6 vite e 3 muaj burg nga drejtësia britanike, pasi u shpall fajtor për tentativë importi të armëve të zjarrit dhe përfshirje në aktivitet kriminal të lidhur me drogën.
Sipas hetimeve, i riu kishte porositur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës një paketë të maskuar si “kit trajnimi për qen”, e cila në fakt përmbante një pistoletë 9 mm dhe pajisje të tjera për armë zjarri. Paketa u zbulua dhe u bllokua nga autoritetet amerikane.
Ai u arrestua në prill 2025 në Hertfordshire. Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet zbuluan armë zjarri antike të modifikuara për përdorim me municion modern, municione, si dhe pajisje për modifikimin e armëve.
Në banesë u gjet gjithashtu një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, së bashku me sasi të lëndëve narkotike të dyshuara për shpërndarje.
Sipas prokurorisë, 19-vjeçari kishte ngritur një aktivitet të organizuar kriminal, duke përdorur armët për të mbështetur trafikun e drogës dhe duke rrezikuar sigurinë publike.
Autoritetet britanike, përfshirë National Crime Agency, e cilësuan dënimin si një goditje ndaj krimit të organizuar dhe një mesazh të qartë kundër trafikimit të armëve dhe narkotikëve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






