Transmetuar më 30-03-2026, 12:48

TIRANË, 30 mars 2026 – Kryeministri Edi Rama ka theksuar se siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit përbëjnë një ndër sfidat më të mëdha në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë një deklarate publike, Rama u shpreh se barra kryesore e negociatave bie mbi ekonominë, por ajo shtrihet në mënyrë të ndërlikuar edhe në sektorë të tjerë si infrastruktura, bujqësia dhe financat.

Ai ndaloi veçanërisht në dy çështje kryesore. Së pari, në nevojën për përshpejtimin e reformës në prokurimin publik, ku sipas tij është bërë progres, por ende nuk është arritur niveli i kërkuar. Kryeministri nënvizoi rëndësinë e modernizimit të këtij sistemi, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale, si një objektiv që duhet të përmbushet brenda vitit 2027.

Së dyti, Rama theksoi domosdoshmërinë e forcimit të kontrollit financiar, duke pranuar se progresi në këtë drejtim mbetet i kufizuar dhe kërkon intensifikim të mëtejshëm të reformave.

Në përmbyllje, ai e cilësoi sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit si “sfidën e sfidave”, duke theksuar se përmbushja e standardeve në këtë fushë është thelbësore për avancimin e procesit të integrimit evropian.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit