

TIRANË, 30 mars 2026 – Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë drejt arritjes së një marrëveshjeje për një paketë ndryshimesh në kuadër të Reformës Zgjedhore, ku një ndër pikat kyçe mbetet rregullimi i financimeve të partive politike.
Sipas draftit të diskutuar mes palëve, parashikohen kufizime të qarta për kontributet financiare. Konkretisht, një shtetas shqiptar mund të kontribuojë deri në 200,000 lekë në vit, ndërsa personat fizikë të regjistruar tatimor mund të japin deri në 500,000 lekë në vit. Për personat juridikë, kufiri maksimal i kontributit është përcaktuar në 1,000,000 lekë në vit.
Projektligji synon gjithashtu rritjen e transparencës financiare, duke përcaktuar se çdo dhurim mbi 50,000 lekë duhet të kryhet përmes sistemit bankar, duke shmangur kështu transaksionet informale dhe duke forcuar kontrollin mbi burimet e financimit.
Drafti pritet të bëhet publik për konsultim me grupet e interesit dhe publikun, përpara se të ndjekë procedurat parlamentare për miratim në Kuvend.
Kjo nismë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të standardeve demokratike dhe rritjes së besueshmërisë në proceset zgjedhore në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






