Transmetuar më 30-03-2026, 11:48

Bolonjë, Itali – Gjykata e të Miturve në Bolonjë ka dënuar me 17 vite burg një 16-vjeçar, i cili u shpall fajtor për vdekjen e 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila. I pandehuri, ish-partneri i saj, akuzohej se e kishte shtyrë nga ballkoni, duke shkaktuar rënien fatale.

Sipas raportimeve të Rai News, një nga elementët kyç të përdorur nga prokuroria në këtë çështje kanë qenë komunikimet që viktima kishte zhvilluar me platformën ChatGPT. Këto ndërveprime u përdorën për të dokumentuar gjendjen emocionale të vajzës dhe rrethanat e marrëdhënies së saj.

Referuar dosjes hetimore, e mitura kishte kërkuar këshilla nga inteligjenca artificiale lidhur me marrëdhënien, duke pyetur nëse duhej t’i jepte fund asaj dhe si të dallonte një lidhje të shëndetshme nga një marrëdhënie toksike.

Prokurori i çështjes, Simone Purgato, kishte kërkuar një dënim prej 20 vitesh burg, si dhe tetë muaj shtesë për mbajtje të paligjshme të një mjeti prerës, duke e cilësuar ngjarjen si vrasje me dashje me rrethana rënduese, përfshirë përndjekjen dhe moshën e mitur të viktimës.

Ndërkohë, i dënuari ka mohuar akuzat, ndërsa mbrojtja ka argumentuar se ngjarja mund të ketë qenë aksidentale ose një veprim i qëllimshëm nga ana e vajzës.

Sipas hetimeve, i riu dyshohet se e ka shtyrë fillimisht vajzën nga ballkoni dhe më pas i ka goditur duart ndërsa ajo përpiqej të mbahej, duke bërë që ajo të humbiste ekuilibrin dhe të binte.

Familjarët e viktimës kanë kërkuar drejtësi maksimale, ndërsa përfaqësuesja ligjore e tyre, Anna Ferraris, ka theksuar se dënimi duhet të marrë në konsideratë edhe rrethanat rënduese të përndjekjes.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe më gjerë, duke rikthyer vëmendjen mbi dhunën në marrëdhëniet mes të miturve dhe rolin e faktorëve psikologjikë në situata të tilla.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit