

Një shembje e konsiderueshme e një segmenti rrugor në Prishtinë ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë në disa zona të qytetit, pas dëmtimit të rrjetit të ujësjellësit.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina bëri të ditur se rrëshqitja e dheut ka dëmtuar tubacionet, duke detyruar ndërprerjen e furnizimit deri në përfundimin e punimeve për riparimin e tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, pa ujë kanë mbetur disa rrugë të qytetit, përfshirë “Mehmet Shpendi”, “Bislim Islami”, “Don Stjefan Kurti”, “Kiri”, “Agim Prodani”, “Ymer Bytyqi” dhe “Visar Thaqi”.
Pamjet e publikuara nga kompania tregojnë dëmtime të konsiderueshme në rrugë, ku një pjesë e saj është shembur përgjatë një segmenti, duke ekspozuar tubacione dhe instalime të tjera infrastrukturore nën sipërfaqe.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për rastin. Kryeprokurori Zejnullah Gashi konfirmoi se është marrë në pyetje përfaqësuesi i kompanisë që po kryente punimet në zonë.
Sipas tij, hetimet janë në fazën fillestare të grumbullimit të provave për të përcaktuar nëse ka elementë të veprës penale, ndërsa nuk përjashtohet zgjerimi i tyre edhe ndaj zyrtarëve komunalë, në rast se konstatohet përgjegjësi mbikëqyrëse.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






