

Një 28-vjeçar, i dënuar më parë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, është arrestuar nga policia në Durrësi, pasi u kap duke qarkulluar i armatosur.
Sipas njoftimit zyrtar të Policia e Shtetit, i riu u vu në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Pasagjeri”, i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë ndërhyrjes në lagjen nr. 13, shërbimet e policisë ndaluan një automjet, ku si pasagjer dyshohej se ndodhej një person i armatosur. Nga kontrolli fizik, shtetasit me iniciale E. V., 28 vjeç, banues në Shijak, iu gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën e posedonte pa leje.
Në përfundim të veprimeve procedurale, ai u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. L., 25 vjeç, gjithashtu banues në Shijak, u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për vijimin e hetimeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






