Transmetuar më 30-03-2026, 08:18

Nga Mentor Kikia

PS ka nisur fushatën për Bashkinë e Tiranës. Veç Ogerta Manastirliut, që është kandidate në fuqi, ka shprehur ambicien edhe Erjon Braçe.

Bukur fort! Sa më shumë garë, aq më mirë.

Nga ana tjetër, nuk ka ende ide, pasi deri në maj kanë halle të tjera.

Por mua nuk më shqetëson fare se kush do të jetë kandidati nga PS. Po ashtu edhe nga PD. As se kush do të jetë fituesi.

Partive po, atyre u intereson vetëm ai që mund të jetë fitues, pavarësisht nëse ka apo jo ndonjë program.

Ndërsa unë mendoj se Tirana tashmë, në këtë fazë, nuk ka nevojë thjesht për një kryetar, ajo ka nevojë për një projekt që të përcaktojë nëse ky qytet do të jetë një vend i banueshëm pas 10 apo 20 vjetësh.

Po e përmbledh:

1- Tirana duhet të fillojë të disiplinojë, sistemojë rrjetin e tmerrshëm të linjave të internetit dhe elektrike që janë bërë si rrjetë merimange në çdo shtyllë, çdo hyrje pallati e çdo pemë.

2- Tirana duhet të zgjidhë transportin publik brenda qytetit dhe në zonat periferike, ku sot operojnë mjete të marra nga “varrezat” industriale të Gjermanisë dhe që vishen me adeziv “Green Line”. Kjo do të reduktojë edhe trafikun.

3- Tirana duhet të fillojë të projektojë zbutjen e problemit të parkimit të mjeteve. Një vend parkimi në pallatet e reja ka shkuar më shtrenjtë se një apartament. Nëpër rrugë, të parkosh është një ferr dhe shteti vjel mbi 5 milionë euro në vit gjoba vetëm nga qytetarët që parkojnë keq, pasi s’kanë se ku.

4- Tirana duhet të ndalojë rritjen e densitetit të popullsisë në zona të caktuara, bazuar në parimin “gjej vend e bëj kullë”. Duhet të marrë fund epoka kur planin urbanistik e bëjnë ndërtuesit.

5- Tirana duhet të sistemojë ujërat e zeza. Është i vetmi kryeqytet në epokën moderne, ku jashtëqitjet e 1 milion njerëzve rrjedhin mespërmes qytetit, duke kundërmuar si një hale e madhe mesjetare.

Dhe e fundit, jo për nga rëndësia:

6- Tirana duhet të ndalojë shkatërrimin dhe të investojë për hapësira të reja publike. Fëmijët kanë nevojë për ajër dhe argëtim. Po rritet një gjeneratë e stresuar, që argëtohet duke luajtur nëpër shkallët e pallateve apo kukafshehtazi mes karrigeve të kafeneve.

Unë do të votoj vetëm për atë që adreson këto çështje, pa pyetur fare për logon e partisë!

Dhe ju ftoj të gjithëve të hiqni dorë nga tifozëria politike dhe ta kushtëzoni votën nga programi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit