Transmetuar më 29-03-2026, 21:00

Ka përfunduar procesi zgjedhor për drejtimin e degës së Partisë Demokratike në Elbasan, ku fitues është shpallur Alis Narazani.

Në përfundim të numërimit të votave, Narazani ka siguruar 477 vota, duke marrë kështu drejtimin e degës lokale të PD-së. Ai konsiderohet një figurë e re në politikë dhe ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2025, ndërsa fitorja e tij u mbështet në një platformë që synon rikthimin e besimit të qytetarëve dhe ringritjen e vlerave të së djathtës.

Në vend të dytë u rendit Sokol Shkëlzeni me 319 vota, aktualisht sekretar politik i PD-së në Elbasan, i cili zhvilloi një garë të fortë bazuar në përvojën e tij në strukturat e partisë.

Ndërkohë, Durim Çekrezi, kryetar i komanduar i degës, mori 249 vota, duke u fokusuar në vijimësinë dhe konsolidimin e strukturave ekzistuese.

Në garë morën pjesë edhe Elior Vila, i cili siguroi 88 vota me një platformë për më shumë hapje dhe transparencë, si dhe Lumturi Hasa, e vetmja grua kandidate, e cila mori 66 vota dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve dhe grave në politikë.

Procesi i votimit, sipas zyrtarëve të degës, është zhvilluar normalisht, me pjesëmarrjen e mbi 1200 anëtarëve me të drejtë vote.

Paralelisht me zhvillimet zgjedhore, dega e PD në Elbasan ka reaguar edhe ndaj pretendimeve të Doris Madhi, duke sqaruar se ajo nuk ka qenë pjesë e fushatës së kësaj force politike, por ka bashkëpunuar me Partia Socialdemokrate.

Sipas deklaratës zyrtare, Madhi është përjashtuar nga anëtarësia për “shkelje të rënda statutore”, vendim i marrë unanimisht nga kryesia e degës në përputhje me rregullat e partisë.

Zgjedhja e Narazanit pritet të shënojë një fazë të re për strukturat e PD-së në Elbasan, me fokus në riorganizimin dhe forcimin e mbështetjes elektorale në këtë qark.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit