Transmetuar më 29-03-2026, 17:59

I ndërtuar si një qendër e rëndësishme industriale në zemër të vendit, Poliçan për dekada me radhë ka qenë simbol i zhvillimit ekonomik dhe i energjisë rinore. Themelimi i qytetit lidhet ngushtë me ngritjen e uzinës mekanike, dikur një nga ndërmarrjet më të rëndësishme industriale në vend, e cila shërbente si burimi kryesor i punësimit për banorët.

Megjithatë, mbyllja e kësaj uzine shënoi një kthesë të fortë për qytetin. Mungesa e mundësive ekonomike detyroi shumë familje të largohen, fillimisht drejt qyteteve të mëdha dhe më pas jashtë Shqipëria.

Sot, Poliçani përballet me një realitet krejt ndryshe. Qyteti që dikur karakterizohej nga gjallëria dhe prania e të rinjve, tashmë duket i boshatisur. Në rrugë dhe hapësirat publike dominojnë të moshuarit, ndërsa të rinjtë janë gjithnjë e më të paktë.

Banorët shprehen se mungesa e vendeve të punës mbetet arsyeja kryesore e largimit të rinisë. Sipas tyre, uzina mekanike ishte “oksigjeni” i qytetit dhe mbyllja e saj solli rënie të ndjeshme të aktivitetit ekonomik dhe jetës sociale.

“Të rinjtë janë larguar për shkak të mungesës së punës. Shumica kanë emigruar në vende si Italia, Greqia apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shprehen banorët, duke theksuar se qyteti sot mbijeton kryesisht me pensionistët dhe pak të rinj që vazhdojnë shkollën.

Sipas tyre, përditshmëria është bërë monotone dhe pa perspektivë, ndërsa mungesa e investimeve dhe e alternativave të punësimit vazhdon të nxisë emigrimin.

Sfida kryesore për Poliçanin mbetet rikthimi i zhvillimit përmes investimeve, hapjes së vendeve të reja të punës dhe krijimit të kushteve që të rinjtë të kenë arsye për të qëndruar apo për t’u rikthyer në qytetin e tyre.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit