

Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në Kavajë, ku ai dyshohet se ka hyrë i armatosur në një lokal, ka kanosur klientët dhe ka dhunuar pronarin.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu, i identifikuar me inicialet M. C., pas disa orësh kërkimesh u lokalizua dhe u vu në pranga në një hotel në zonën e Shkëmbi i Kavajës, në bashkëpunim mes strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariatit të Policisë Kavajë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40, kur 28-vjeçari dyshohet se ka hyrë i armatosur në një bar-kafe në lagjen nr. 2 të Kavajës, ku ka kërcënuar klientët dhe ka goditur me qytën e pistoletës pronarin e lokalit, shtetasin S. V., 64 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
Pas ndërhyrjes së policisë, autori është larguar me shpejtësi me automjet, duke dëmtuar një mjet të parkuar. Gjatë ndjekjes nga forcat e rendit, ai ka humbur kontrollin e automjetit, duke u përplasur me trafikndarësen dhe një automjet tjetër, përpara se ta braktiste mjetin dhe të largohej në këmbë.
Pas disa orësh operacion, policia bëri të mundur kapjen e tij. Gjatë tentativës për t’u arratisur, 28-vjeçari ka hedhur armën e zjarrit, e cila u gjet dhe u sekuestrua më pas si provë materiale. Po ashtu, në automjetin tip “Range Rover” u gjet një krehër me municion luftarak.
Sipas hetimeve paraprake, i arrestuari rezulton person me precedent kriminal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






