

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Vlorë, ku një 32-vjeçar ka mbetur i plagosur me mjet prerës pas një konflikti.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë shpallur në kërkim tre shtetas: F. B., 34 vjeç, K. Xh., 33 vjeç dhe E. H., 25 vjeç, të gjithë banues në Vlorë.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në lagjen “15 Tetori”, ku pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi F. B. ka goditur me thikë shtetasin S. M., 32 vjeç.
I dëmtuari ndodhet i shtruar në Spitali Rajonal Vlorë dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet paraprake tregojnë se shtetasi K. Xh. dyshohet të ketë ndihmuar autorin e dyshuar duke e larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, ndërsa shtetasi E. H. dyshohet se ka larguar automjetin e përdorur.
Policia bën të ditur se vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






