

KORÇË – Tre persona janë arrestuar nga policia pas një konflikti të ndodhur në një servis automjetesh, ku mbeti i plagosur pronari i tij.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas pakënaqësive për një shërbim. Dy prej autorëve kanë goditur pronarin me sende të forta dhe mjete prerëse, ndërsa një tjetër është përfshirë në konflikt.
Policia bën me dije se është proceduar penalisht edhe vetë pronari i servisit, pasi gjatë përplasjes ka plagosur lehtë dy nga autorët.
Në vendngjarje janë sekuestruar mjetet prerëse dhe automjeti i përdorur, ndërsa të gjithë të përfshirët kanë marrë ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Korçë/ U konfliktuan për motive të dobëta dhe dëmtuan me mjet prerës dhe sende të forta pronarin e një servisi automjetesh, vihen në pranga 3 autorët e dyshuar të ngjarjes së djeshme.
Procedohet penalisht edhe pronari i servisit pasi gjatë përfshirjes në konflikt, dëmtoi lehtë me mjet prerës, dy prej autorëve. Sekuestrohen mjetet prerëse dhe një automjet.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për një konflikt midis disa shtetasve të ndodhur në lagjen nr. 10, Korçë, në përfundim të veprimeve të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e këtij rasti, bëjmë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. D., 39 vjeç, banues në Korçë;
-E. Th., 40 vjeç, banues në Tiranë;
-L. M., 34 vjeç, banues në Korçë.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin R. Xh., 35 vjeç, banues në Korçë (pronari i servisit) për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Nga verifikimet e kryera rezulton se dy shtetasit E. D., dhe E. Th., kanë shkuar me një automjet tek servisi i shtetasit R. Xh., të cilin për motive të dobëta (pakënaqësi për një shërbim të kryer nga pronari i servisit) e kanë goditur me sende të forta dhe e kanë dëmtuar me mjet prerës. Ndërsa shtetasi L. M., është ndodhur rastësisht në servis dhe është përfshirë në konflikt. Gjithashtu edhe 35-vjeçari R. Xh., gjatë konfliktit ka dëmtuar lehtë me mjet prerës (gërshërë pune) shtetasit E. Th., dhe L. M.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe mjetet prerëse (një bisturi-thikë dhe një gërshërë).
Pas ndihmës mjekësore të marrë në spitalin e Korçës, të dëmtuarit janë larguar në banesa. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






