Transmetuar më 29-03-2026, 11:22

POGRADEC – Dy persona janë arrestuar nga policia pasi tentuan të grabisnin një argjendari në qytet, ndërsa një tjetër është vënë nën hetim për pengim të zbardhjes së ngjarjes.

Operacioni i koduar “Argjendaria” çoi në prangosjen e dy të rinjve, të cilët dyshohet se në bashkëpunim tentuan të hynin me forcë në dyqan, duke thyer xhamin dhe dëmtuar qepenin, por pa mundur të marrin sende.

Ndërkohë, një 29-vjeçar po hetohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Njoftimi i policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Argjendaria”, për zbardhjen dhe dokumentimin e tentativës për vjedhje në një argjendari, ndodhur pak ditë më parë në qytetin e Pogradecit.

Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar, si dhe procedohet penalisht 1 tjetër, i cili kreu veprime për të penguar zbulimin e së vërtetës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës intensive hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë, në lagjen nr. 5, Pogradec, ku disa persona tentuan të vidhnin një argjendari, në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Kurbin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Argjendaria”, për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar.

Si rezultat i operacionit, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, shtetasit:

K.T., 23 vjeç, dhe B. M., 22 vjeç, banues në Mamurras, Laç.

Si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” ndaj një 29-vjeçari, për të cilin, për arsye hetimore, nuk mund të bëhen me dije hollësi të mëtejshme.

Nga veprimet hetimore të kryera dhe provat e grumbulluara, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, më datë 20.03.2026, kanë tentuar të vjedhin argjendarinë në pronësi të shtetasit L. A., duke tentuar të hapin me forcë qepenin dhe duke thyer xhamin e derës hyrëse të dyqanit, por nuk kanë mundur të marrin sende nga ky ambient.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme./

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit