Transmetuar më 29-03-2026, 10:39

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Bordi i Transparencës nuk ndërhyn në mënyrë arbitrare për uljen e çmimit të naftës, duke theksuar se një veprim i tillë mund të rrezikojë kapacitetet e furnizimit në treg.

Në një komunikim gjatë podcast-it “Flasim”, Rama sqaroi se roli i bordit është të mbikëqyrë lëvizjen e çmimeve dhe të parandalojë abuzimet nga operatorët, duke mbrojtur interesat e konsumatorëve.

Sipas tij, çmimet e karburanteve në vend janë të lidhura drejtpërdrejt me tregjet ndërkombëtare, dhe çdo ndryshim reflekton luhatjet në bursë. Ai theksoi se bordi vendos çmime tavan për të shmangur rritjet abuzive, por nuk mund të ulë çmimet në mënyrë të detyruar nëse kjo cenon furnizimin.

“Bordi nuk vendos çmimin e naftës në mënyrë arbitrare dhe nuk e ul atë duke vënë në rrezik furnizimin, por vetëm mbikëqyr tregun dhe nuk lejon operatorët të abuzojnë me konsumatorët”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se institucioni është vazhdimisht në vëzhgim për të garantuar transparencë dhe për të ndëshkuar çdo shkelje të vendimeve, deri në pezullimin e aktivitetit të operatorëve që nuk respektojnë rregullat.

Në përfundim, Rama siguroi se qeveria do të vijojë të ndjekë nga afër situatën dhe të garantojë që asnjë kosto e pajustifikuar të mos rëndojë mbi qytetarët, deri në stabilizimin e tregut të karburanteve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit