Transmetuar më 29-03-2026, 10:22

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një cikli takimesh me qytetarët në të gjithë territorin e vendit, me synim forcimin e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe adresimin e sfidave të përbashkëta.

Gjatë podcast-it të tij “Flasim”, Rama bëri të ditur se këto takime do të shtrihen në të gjitha qarqet dhe do të fokusohen te diskutimi mbi punët e realizuara, projektet në vijim si dhe pengesat që duhen kapërcyer.

Sipas kreut të qeverisë, ky është një moment i rëndësishëm për vendin, ndërsa theksoi se dëgjimi i qytetarëve do të jetë në qendër të këtij angazhimi. Ai nënvizoi se përgjegjësia kryesore për përballimin e sfidave i takon qeverisë.

“Do të angazhohemi në një cikël takimesh me komunitetet në të gjitha qarqet për të folur për punët që kanë nisur dhe ato që do të nisin së shpejti, por edhe për të dëgjuar njerëzit”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se këto takime do të shërbejnë gjithashtu si pjesë e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme vendore, ku ai synon një tjetër fitore për Partinë Socialiste.

Në fokus të diskutimeve, sipas Ramës, do të jenë zhvillimet në vend, projektet në ndërtim dhe çdo çështje që qytetarët do të duan të ndajnë apo të marrin përgjigje nga qeveria.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit