Transmetuar më 28-03-2026, 21:25

Tre persona kanë mbetur të lënduar gjatë një konflikti të ndodhur mëngjesin e kësaj të shtune në një servis makinash në qytetin e Korçës.

Mes të lënduarve ndodhet edhe pronari i servisit, Renaldo Xhixho, citon noa.al një raportim të KorçaBlog. Tre persona që kishin çuar një automjet për t’i ndryshuar ngjyrën janë paraqitur sërish pranë servisit, duke pretenduar se nuk ishin të kënaqur me rezultatin e punës. Situata është tensionuar më tej pasi ata nuk kishin kryer pagesën për shërbimin.

Mosmarrëveshja ka degraduar në përplasje fizike mes palëve, ku gjatë konfliktit është përdorur edhe një mjet i mprehtë, konkretisht gërshërë.

Si pasojë, Renaldo Xhixho ka pësuar dëmtime dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Ai është pronar i një servisi për tapiceri makinash në lagjen nr. 10.

Të lënduar kanë mbetur gjithashtu edhe Ergys Themelko, Erion Demolli dhe Lidi Meno.

Sipas policisë, të gjithë personat e dëmtuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

“Mëngjesin e sotëm, në lagjen nr. 10, Korçë, ka ndodhur një konflikt fizik midis disa shtetasve. Si pasojë e konfliktit, janë dëmtuar 3 prej tyre (njëri prej të cilëve me mjet prerës gërshërë), të cilët u dërguan për mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në ambientet e Komisariatit ndodhet i shoqëruar një shtetas për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet marrja në pyetje e personave të përfshirë dhe dëshmitarëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit