

Një detaj i ri del në dritë për ngjarjen e Fushë-Krujës, dëshmia e një personi hap një pistë tjetër
Afro katër vite pas ngjarjes së rëndë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku humbën jetën Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, hetimet duket se po marrin një drejtim të ri. Së fundmi është identifikuar një shtetas nga Kosova, i cili dyshohet se ka sjellë nga Gjermania në Kosovë automjetin e përdorur në këtë vrasje të trefishtë, e ndodhur më 17 korrik 2022.
Automjeti tip “Passat” rezulton se është transportuar fillimisht nga Gjermania drejt Kosovës. Sipas dëshmisë së dhënë para hetuesve, personi që e ka sjellë mjetin ka deklaruar se ia ka dorëzuar babait të tij, i cili më pas e ka shitur te një tjetër shtetas shqiptar. Ai ka pohuar se nuk e mban mend identitetin e personit që e ka blerë automjetin.
Nga të dhënat e mbledhura deri tani, rezulton se i njëjti mjet ka hyrë më pas në territorin e Shqipërisë në një datë të paqartë dhe përmes personave ende të paidentifikuar.
Pas ngjarjes së korrikut 2022, shtetasi nga Kosova dyshohet se ka lëvizur disa herë me këtë automjet në territorin shqiptar. Gjatë kësaj periudhe, ai ka qenë nën vëzhgim nga policia për të kuptuar kontaktet dhe lëvizjet e tij.
Megjithatë, nga monitorimi i kryer, nuk janë konstatuar takime apo veprime që lidhen drejtpërdrejt me ngjarjen. Pavarësisht kësaj, autoritetet në Tiranë kanë vendosur ta marrin në pyetje për të sqaruar rrethanat.
Identiteti i këtij shtetasi nuk është bërë publik për shkak të hetimeve në vijim. Ai ka dhënë shpjegime në polici, duke konfirmuar se automjeti që ka sjellë nga Gjermania në Kosovë është i njëjti që është përdorur në ngjarjen ku humbën jetën tre personat.
Ndërkohë, bëhet e ditur se mjeti është shitur nga babai i tij te një person nga Shqipëria, por pa një dokumentacion të rregullt ligjor. Mungesa e një akti noterial ka ngritur dyshime për një veprim të qëllimshëm për të humbur gjurmët e pronësisë së automjetit.
Pas marrjes në pyetje, të dy personat, babë e bir, janë lënë të lirë dhe deri më tani ndaj tyre nuk është ngritur asnjë akuzë.
Ngjarja vijon të mbetet e pazbardhur plotësisht, pasi autoritetet kanë pasur vështirësi në identifikimin e blerësit të automjetit dhe në gjurmimin e saktë të hyrjes së tij në Shqipëri.
Dyshohet se mjeti ka kaluar nëpër pikën kufitare të Morinës, pa u regjistruar në sistemin TIMS. Gjithashtu, rezulton se automjetit i janë vendosur targa “AA 156 OR”, të cilat i përkasin një mjeti tjetër tip “Daimler Chrysler”, në pronësi të një shtetasi me inicialet A.L., i cili në vitin 2021 kishte raportuar në polici vjedhjen e targave.
Ngjarja e ndodhur më 17 korrik 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës tronditi opinionin publik, pasi përfundoi me humbjen e jetës së tre personave.
Sipas hetimeve, ngjarja dyshohet të ketë qenë e planifikuar më herët, ndërsa autorët kishin ndjekur për disa ditë lëvizjet e njërit prej personave, i cili mendohet të ketë qenë objektivi kryesor.
Sipas të dhënave, automjeti i autorëve është afruar pranë mjetit të viktimave dhe prej tij kanë zbritur disa persona të armatosur, ndërsa një tjetër ka qëndruar në automjet për t’u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Pas veprimit, autorët dyshohet se kanë dëmtuar mjetin ku ndodheshin viktimat dhe më pas janë larguar. Hetimet për këtë ngjarje vijojnë ende.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






