Transmetuar më 28-03-2026, 13:35

Pas disa muajsh hetimesh me metoda proaktive, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, finalizoi operacionin policor të koduar “Night Clubs”, i fokusuar në shpërndarjen e drogës në lokalet e natës në zonën e Ish-Bllokut.

Gjatë periudhës hetimore u identifikuan 11 shtetas, punonjës ose administratorë të lokaleve të natës, të cilët dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike brenda ambienteve ku ushtronin aktivitetin. Nga 11 masa sigurie të lëshuara nga Gjykata, u ekzekutuan 9 masa sigurie “Arrest në burg”, ndërsa vijon puna për kapjen e dy shtetasve të tjerë. Dy persona të tjerë ishin arrestuar më parë gjatë hetimeve.

Gjithashtu, në flagrancë u arrestua një 49-vjeçar, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata.

Gjatë kontrollimeve u sekuestruan rreth 100 gramë kokainë, 2200 tableta ekstazi (MDMA) dhe 11 aparate celularë.

Në kuadër të operacionit, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit:

E. H., 39 vjeç A. N., 37 vjeç K. M., 30 vjeç R. L., 29 vjeç E. S., 34 vjeç E. H., 26 vjeç M. B., 31 vjeç A. Gj., 36 vjeç F. K., 32 vjeç

Nga hetimet rezultoi se këta persona shpërndanin doza të drogave të forta brenda lokaleve të natës. Gjatë kontrolleve fizike, atyre iu gjetën dhe u sekuestruan doza kokainë dhe 11 aparate celularë.

Gjithashtu, u arrestuan shtetasit E. L., 42 vjeç dhe B. L., 59 vjeç, të cilëve iu sekuestruan 2200 tableta ekstazi (MDMA).

Operacioni vijon për kapjen e dy personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit