Transmetuar më 28-03-2026, 11:53

Një 26-vjeçar nga Saranda, Luçiano Mahilaj, është arrestuar nga policia pasi ka mashtruar mbi 35 biznese dhe subjekte tregtare në qytete të ndryshme, duke u prezantuar si punonjës i IKMT-së, AKU-së, Tatim-Taksave dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Mahilaj u kap në flagrancë në qytetin e Sarandës duke marrë një shumë prej 56 000 lekësh të reja nga një person, shuma kjo e sekuestruar menjëherë nga autoritetet. Nga hetimet rezulton se ai përfitonte shuma që varionin nga 200 deri në 600 euro për çdo rast mashtrimi.

Operacioni, i koduar “The End”, u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër dhe Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër.

Hetimet kanë dokumentuar veprimtarinë kriminale të Mahilajt në qytete si Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Himarë, Orikum, Fier, Berat etj. Policia falënderon qytetarët dhe drejtuesit e institucioneve për bashkëpunimin, duke inkurajuar denoncimin e çdo rasti të paligjshmërisë, me garancinë e një reagimi të shpejtë dhe ligjor.

Hetimi vijon për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë së tij kriminale.

“DVP Gjirokastër

Finalizohet, si rezultat i një hetimi njëmujor, operacioni i koduar “The End”. Goditet një rast i mashtrimit dhe i përvetësimit të detyrës shtetërore.

Operacioni u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.

Kishte mashtruar mbi 35 biznese dhe subjekte tregtare në qytete të ndryshme, duke u prezantuar si punonjës i IKMT-së, AKU-së, Tatim-Taksave etj., arrestohet 26-vjeçari. Nga veprimet e tij, ai përfitonte shuma që varionin nga 200 deri në 600 euro për çdo rast.

26-vjeçari u kap në flagrancë duke marrë një shumë prej 56 000 lekë të reja nga një shtetas, në qytetin e Sarandës.

Sekuestrohet shuma e parave.

Si rezultat i një hetimi të kryer me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Gjirokastrës, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të një shtetasi i cili mashtronte bizneset dhe subjektet tregtare duke u paraqitur si punonjës i IKMT-së, AKU-së, Tatim-Taksave etj., specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër dhe me Komisariatin e Policisë Sarandë, finalizuan operacionin e koduar “The End”.

Gjatë këtij operacioni, u kap në flagrancë, në qytetin e Sarandës, duke marrë nëpërmjet mashtrimit një shumë prej 56 000 lekë të reja nga një shtetas, dhe u vu në pranga shtetasi L. M., 26 vjeç, banues në Sarandë.

Nga hetimet e kryera është dokumentuar se shtetasi L. M., ka mashtruar, me qëllim përvetësimin e shumave të parave, 35 biznese dhe subjekte tregtare në qytete të ndryshme si në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Himarë, Orikum, Fier, Berat etj, ku për çdo rast përfitonte shuma nga 200 deri në 600 euro.

Vijon hetimi me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër falënderon drejtuesit e IKMT-së dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe denoncimin e këtij rasti të mashtrimit, që çoi në dokumentimin e të gjitha rasteve dhe arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi, si dhe i inkurajon qytetarët të vijojnë të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, me garancinë e një reagimi të shpejtë, të paanshëm dhe në përputhje me ligjin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit