Transmetuar më 28-03-2026, 11:41

Një shtetas grek, Pavlos Simeriontakis, 48 vjeç, me origjinë nga Athina, është dërguar mbrëmjen e së premtes në Spitalin e Sarandës pa shenja jete nga disa persona që e shoqëronin, të cilët më pas janë larguar me shpejtësi nga ambientet e spitalit.

Sipas burimeve policore, personat që e transportuan janë identifikuar më vonë dhe janë marrë në pyetje në lidhje me rrethanat e ngjarjes.

Nga deklarimet paraprake, mësohet se 48-vjeçari ndodhej në Shqipëri së bashku me një grup personash të angazhuar në tregtinë e sendeve të kuzhinës. Ditët e fundit, ata kishin qenë në Fier për aktivitet tregtar, ndërsa së fundmi ndodheshin në Konispol, nga ku planifikonin të largoheshin drejt Greqisë përmes pikës kufitare të Qafë Botës.

Sipas dëshmive të tyre, viktima ka shfaqur probleme shëndetësore pak para nisjes dhe ka humbur jetën. Po ashtu, bëhet e ditur se ai vuante prej vitesh nga diabeti.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun përfundimtar të vdekjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit