

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se bota është më afër se kurrë një Lindjeje të Mesme që, sipas tij, mund të jetë “më në fund e lirë nga terrori iranian dhe shantazhi bërthamor”.
“Për 47 vjet, Irani është njohur si ngacmuesi i Lindjes së Mesme, por ata nuk janë më të tillë. Ata janë në arrati”, u shpreh Trump, sipas raportimeve të Sky News.
Ai përsëriti pretendimin se ushtria amerikane është më e fuqishmja në botë dhe se Irani do të kishte përdorur armë bërthamore nëse do t’i kishte zhvilluar ato, duke shtuar se ushtria iraniane është “shkatërruar”.
Trump theksoi gjithashtu se Uashingtoni dhe Teherani janë aktualisht në negociata, duke lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje.
Ai i bëri thirrje Iranit të rihapë Ngushtica e Hormuzit, duke bërë edhe një deklaratë të pazakontë: “Ata duhet ta hapin Ngushticën e Trumpit, dua të them, Ngushticën e Hormuzit. Mediat e rreme do të thonë se e thashë këtë rastësisht, por jo, nuk ka rastësi me mua”.
Presidenti amerikan u shpreh gjithashtu për udhëheqjen iraniane, duke deklaruar se Mojtaba Khamenei “nuk është më suprem” dhe duke kritikuar situatën politike në vend.
Duke iu referuar një “dhurate” të pretenduar nga Irani, Trump tha se bëhej fjalë për anije cisternë me naftë në kuadër të negociatave për t’i dhënë fund konfliktit, duke e cilësuar këtë si një formë kërkimfaljeje.
Në vijim, ai kritikoi NATO-n, duke e quajtur atë “tigër letre” dhe duke shprehur zhgënjim për mungesën e përfshirjes në konfliktin me Iranin.
“Gjithmonë kam thënë se NATO është një tigër letre. Nëse do të kishte një luftë të madhe, ata nuk do të ishin aty”, deklaroi Trump.
Ai përmendi gjithashtu marrëdhëniet me liderët europianë, duke i cilësuar si miq Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz, por shprehu pakënaqësi për distancimin e tyre nga konflikti.
“Ukraina nuk ishte as lufta jonë, por ne i ndihmuam ata”, shtoi ai.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






