

Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë konfirmuar se një raketë është lëshuar nga Jemeni drejt jugut të Izraeli. Ky konsiderohet sulmi i parë i drejtpërdrejtë nga Huthit, të mbështetur nga Irani, që nga fillimi i operacionit “Roaring Lion” më 28 shkurt.
Sulmi aktivizoi sirenat në Beersheba dhe në zonat përreth në shkretëtirën Negev. Sipas ushtrisë izraelite, sistemet e mbrojtjes ajrore reaguan me sukses duke neutralizuar kërcënimin. Banorëve iu kërkua fillimisht të ndiqnin udhëzimet e autoriteteve, ndërsa më pak se 15 minuta më vonë u njoftua se situata ishte e sigurt. Deri tani nuk raportohen viktima apo goditje direkte.
Ky zhvillim vjen menjëherë pasi një zëdhënës i Huthive paralajmëroi hyrjen në luftë në Lindjen e Mesme, nëse vazhdojnë sulmet ndaj Iranit.
Në një deklaratë të publikuar në platformën Telegram, zëdhënësi i forcave të armatosura jemenase, Yahya Saree, tha se grupi është i gatshëm për ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake në disa kushte: nëse shtete të tjera i bashkohen SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit; nëse Deti i Kuq përdoret për operacione ushtarake kundër Iranit apo vendeve myslimane; si dhe në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Huthit, të cilët e konsiderojnë veten pjesë të “boshtit të rezistencës” të udhëhequr nga Irani, kanë kërcënuar më herët me sulme të koordinuara me grupe të tjera pro-iraniane si Hamasi dhe Hezbollahu. Megjithëse deri tani kishin shmangur përfshirjen direkte në këtë konflikt, një nga drejtuesit e tyre deklaroi se janë të gatshëm të mbështesin përpjekjet ushtarake të Teheranit.
“Jemi plotësisht të gatshëm ushtarakisht me të gjitha opsionet. Sa i përket përcaktimit të ‘orës zero’, kjo i lihet udhëheqjes”, citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se po ndjekin zhvillimet në terren dhe do të veprojnë në momentin e duhur.
Sulmi i së shtunës mund të sinjalizojë hapjen e një fronti të ri në rajon, duke rritur shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm dhe pasoja në ekonominë globale, veçanërisht në tregjet e naftës. Gjatë konflikteve të mëparshme në Gazë, Huthit kanë sulmuar anije tregtare në Detin e Kuq, duke shkaktuar probleme serioze në transportin detar dhe tregtinë ndërkombëtare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






