

Analiza e zbatimit të buxhetit të Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2025 tregon se shpenzimet për deputetët kanë arritur në 200 milionë lekë. Këto përfshijnë dieta, shpenzime telefonike, karburante, honorare për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve dhe qira për deputetët që nuk jetojnë në Tiranë, duke përbërë 44.2% të totalit të shpenzimeve të Kuvendit.
Shpenzimet për udhëtime jashtë shtetit, duke përfshirë bileta, dieta dhe akomodim, i kanë kushtuar buxhetit 60 milionë lekë.
Buxheti i Kuvendit ndahet në dy programe: “Veprimtaria legjislative, diplomacia dhe kontrolli parlamentar” dhe programi mbështetës “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”. Programi legjislativ përfshin pagat dhe kontributet e deputetëve dhe stafit politik (rreth 1.2 miliardë lekë), përfitimet financiare të deputetëve, shpenzime për udhëtime jashtë shteti, organizime konferencash dhe pagesa për përkthyes dhe ekspertë të jashtëm.
Përbërja e burimeve njerëzore për vitin 2025 është: deputetët 32%, stafi politik 14%, nëpunësit civilë 44% dhe punonjësit mbështetës 10%.
Kuvendi ka shpenzuar gjithashtu dhjetëra milionë lekë për operacione të ndryshme:
11 milionë lekë për honorarë ekspertësh në komisione hetimore; 16 milionë lekë për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore; 49 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemeve elektronike dhe pajisjeve të zyrave; 14 milionë lekë për mirëmbajtjen e ambienteve të zyrave; 28 milionë lekë për shpenzime të tjera, si ujë, energji, transport dhe kancelari.
Investimet në teknologji dhe shërbime digjitale përfshijnë:
30 milionë lekë për transkriptimin audio-video me inteligjencë artificiale; 5.6 milionë lekë për një sistem ndërveprimi me publikun; 1.2 milionë lekë për krijimin e aplikacionit “Kuvendi i Shqipërisë”.
Gjithashtu janë blerë dy automjete me vlerë 14.5 milionë lekë dhe pajisje e arredime zyrash me vlerë 23 milionë lekë, përfshirë tapete ceremoniale, ndriçues dhe mobilim për zyrat e reja të komisioneve të përhershme, të cilat nisën punën në shtator 2025.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






