Transmetuar më 27-03-2026, 19:00

Një agjent i United States Secret Service, pjesë e ekipit të sigurisë së ish-zonjës së parë Jill Biden, është plagosur aksidentalisht në këmbë mëngjesin e së premtes në Aeroportin Ndërkombëtar të Filadelfias.

Sipas një zyrtari të agjencisë, incidenti ndodhi rreth orës 08:30, kur arma e agjentit është shkrepur në mënyrë të paqëllimtë gjatë një detyre mbrojtëse. Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, konfirmoi se agjenti ka pësuar një lëndim të lehtë.

Pas ngjarjes, agjenti ka marrë menjëherë ndihmë mjekësore në aeroport dhe është transportuar në një spital lokal, ku ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Autoritetet bëjnë të ditur se nuk ka persona të tjerë të lënduar, ndërsa ish-zonja e parë nuk ishte e pranishme në momentin e incidentit, raportoi CNN.

Rasti pritet të hetohet nga strukturat përkatëse brenda Shërbimit Sekret, përfshirë Zyrën për Përgjegjësi Profesionale, ndërsa ngjarja ka rikthyer në vëmendje sfidat dhe presionin që përballojnë agjentët e sigurisë në ushtrimin e detyrës.

Deri më tani, zyra e Jill Biden nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me incidentin.

Kujtojmë se ish-zonja e parë ishte e pranishme të mërkurën në mbrëmje në premierën e shfaqjes “Public Charge”, një dramë off-Broadway e shkruar nga ish-këshilltarja e saj, Julissa Reynoso.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit