Transmetuar më 27-03-2026, 11:52

Tirana, 27 Mars 2026 – Lufta në Lindjen e Mesme po reflektohet edhe në çmimet e shportës ushqimore në Shqipëri. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, njoftoi sot se disa produkte bazë, përfshirë miellin, vajin dhe sheqerin, kanë shënuar rritje deri në 50%.

Në një konferencë për media, ministrja sqaroi se qeveria nuk ka mundësi të ndërhyjë drejtpërdrejt në çmime, pasi ato vendosen nga mekanizmat e tregut, por do të kryejë kontrolle për të shmangur spekulimet.

“Unë nuk thashë ne do ndërhyjmë në çmime. E shpjegova dhe pse nuk aplikojmë dot të njëjtin mekanizëm sepse është e pamundur që ne të ndërhyjmë në çmime,” tha Ibrahimaj.

“Unë thashë që ne jemi duke i monitoruar me bazë ditore dhe do dalim për të verifikuar që këto çmime nuk janë abuzive dhe ajo që thashë është se në rast se do të kemi një ndikim të vazhdueshëm në çmimet e konsumit atëherë ne do suportojmë shtresa që nuk e përballojnë rritjen e çmimit, as për një periudhë të përkohshme pasi siç dihet luftërat fillojnë dhe mbarojnë.

Dhe fokusi ynë është te pensionistët.

Asnjëherë nuk e kam thënë që do të ndërhyjmë te çmimet, sepse e kemi të pamundur qoftë nga ekonomia që kemi ngritur ku çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta, ndryshe janë karburantet dhe ndryshe tregu i ushqimeve.”

Ministrja siguroi se mbikëqyrja do të jetë e vazhdueshme për të mbrojtur konsumatorët dhe për të parandaluar abuzimet në treg.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit