

Një grabitje me elementë dhune është regjistruar në qytetin e Elbasanit, ku një argjendari në lagjen “Namazgja” është bërë objekt i një vjedhjeje të ndodhur më 25 mars 2026.
Sipas Policisë, autori i dyshuar ka arritur të marrë tre varëse floriri dhe gjatë ndërhyrjes së pronarit të biznesit, e ka kërcënuar atë që të mos kallëzonte ngjarjen, përpara se të largohej me shpejtësi nga vendi.
Pas denoncimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe kanë finalizuar operacionin e koduar “Gold”, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Në pranga ka rënë shtetasi B. H., 38 vjeç, banues në Elbasan, i cili rezulton edhe i dënuar më parë për krime ndaj personit dhe pasurisë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ai ka hyrë në ambientet e argjendarisë dhe ka marrë tre varëse floriri. Në momentin kur pronari ka tentuar ta ndalojë dhe t’i marrë sendet, 38-vjeçari e ka kanosur dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia ka bërë të mundur kapjen e tij në një kohë të shkurtër, ndërsa vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






