Transmetuar më 27-03-2026, 10:57

Një tjetër rast i trafikut të emigrantëve është goditur nga Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Relay”, i cili vijon me fazat e tij për zbardhjen dhe goditjen e rrjeteve të kalimit të paligjshëm të kufijve.

Gjatë fazës së nëntë të këtij operacioni, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme kanë arrestuar në flagrancë një shtetas turk, i dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet kriminal.

Në pranga ka rënë shtetasi G. K., 26 vjeç, i cili u kap në aksin rrugor Kashar–Thumanë, ndërsa transportonte me automjet tre emigrantë të paligjshëm, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas hetimeve paraprake, 26-vjeçari dyshohet se kishte marrë përsipër transportin e tyre kundrejt pagesës prej 3,000 euro për person, duke u përfshirë në një skemë të organizuar të trafikut të emigrantëve.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë sekuestruan automjetin e përdorur për transportin, si dhe tre telefona celularë, që dyshohet se janë përdorur për komunikim në këtë veprimtari.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit