

Shkodër, 27 mars 2026
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër finalizoi operacionin e koduar “Tranziti”, duke arrestuar një 27-vjeçar, i cili dyshohet se ndihmonte emigrantët nga vendet e treta për të kaluar kufijtë në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagesës.
Shtetasi A. S., banues në Karbunarë, u kap në flagrancë në Koplik duke transportuar me automjet 6 emigrantë nga Pakistani, Bangladeshi dhe Afganistani, të cilët synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi. Për këta emigrantë nisi procedimi penal për kalim të paligjshëm të kufirit, ndërsa automjeti dhe celulari i 27-vjeçarit u sekuestruan.
Hetimet dyshojnë se i arrestuari transportonte emigrantë gjithashtu për kalim të paligjshëm të kufirit me Greqinë, duke marrë 650 euro për person. Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, vijon dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






