

Pas rritjes së çmimeve të karburanteve dhe vajit ushqimor, prodhuesit vendas paralajmërojnë se shtrenjtimi pritet të prekë edhe detergjentet dhe preparatet larëse në tregun vendas. Sipas tyre, ndikimi vjen kryesisht nga rritja e kostove të lëndëve të para dhe transportit.
Një pjesë e produkteve prodhohen në vend, por lënda e parë importohet nga jashtë, ndërsa sapunët larës vijnë kryesisht nga importi. Furnitorët e huaj kanë njoftuar për rritje të çmimeve të lëndëve të para me 15–20%, duke reflektuar efektet e kostove të rritura të energjisë dhe transportit në tregjet ndërkombëtare.
Prodhuesit vlerësojnë se, për shkak të ciklit të furnizimit që zgjat 30–45 ditë, çmimet e reja pritet të reflektohen në treg duke filluar nga muaji maj. Rritje çmimesh pritet edhe për produktet e gatshme të importuara, të cilat tashmë janë shtrenjtuar nga furnitorët e jashtëm.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025 u importuan rreth 68.3 milionë kilogramë produkte të grupit “sapuni dhe preparatet larëse”, me një rritje prej 2% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, në dy muajt e parë të vitit 2026, importet e këtij grupi shënuan rënie me 13% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Prodhuesit vendas theksojnë se kërkesa në treg mbetet e dobët, e ndikuar nga faktorë si emigracioni dhe ndryshimet demografike, duke reflektuar në uljen e konsumit dhe të importeve të lëndëve të para.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






