

Çmimi i vajit të lulediellit në tregun vendas ka shënuar rritje gjatë muajit mars, ndërsa importuesit paralajmërojnë se trendi në rritje pritet të vijojë edhe në ditët në vijim.
Sipas operatorëve të tregut, çmimi me shumicë i vajit ushqimor është rritur me rreth 7-8%, si pasojë e kostove më të larta të prodhimit dhe transportit në tregjet ndërkombëtare. Aktualisht, çmimi pritet të arrijë deri në 190 lekë për litër.
Gjatë muajit shkurt, para përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, vaji i lulediellit tregtohej me shumicë nga 176 deri në 178 lekë për litër. Në javën e tretë të marsit, importuesit aplikuan një rritje prej rreth 5 lekësh për litër, duke e çuar çmimin në 182-183 lekë. Ndërkohë, nga fundi i muajit pritet një tjetër rritje me rreth 7 lekë për litër.
Importuesit shpjegojnë se rritja e çmimeve lidhet kryesisht me shtrenjtimin e lëndëve djegëse për rafineritë e përpunimit jashtë vendit, si dhe me rritjen e tarifave të transportit. Sipas tyre, vetëm kostot e karburantit kanë shtuar rreth 1.5 lekë për litër në çmimin final, ndërsa transporti është shtrenjtuar ndjeshëm pas zhvillimeve gjeopolitike, duke shtuar edhe rreth 1 lekë për litër.
Për ilustrim, tarifa e transportit për një ton vaj është rritur nga 140–160 dollarë në rreth 200 dollarë, duke reflektuar presionin në rritje mbi zinxhirin e furnizimit.
Ekspertët kujtojnë se situata të ngjashme janë regjistruar edhe në vitin 2022, pas nisjes së Lufta Rusi-Ukrainë, kur çmimet e vajit të lulediellit në tregun vendas u rritën ndjeshëm, duke arritur deri në 400 lekë për litër në kulmin e krizës.
Ata theksojnë se mungesa e prodhimit vendas mbetet një problem struktural për ekonominë shqiptare, duke e bërë vendin të varur nga importet dhe më të ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Aktualisht, industria vendase e përpunimit të vajit është e kufizuar, pasi fabrikat ekzistuese operojnë kryesisht si ambalazhuese të produktit të importuar, çka redukton aftësinë e tregut për të amortizuar goditjet e jashtme në çmime.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






