Transmetuar më 27-03-2026, 07:36

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka reaguar pas humbjes 2-1 ndaj Polonisë, rezultat që i dha fund rrugëtimit të Shqipërisë drejt Kupës së Botës 2026.

Në prononcimin e tij pas ndeshjes, tekniku brazilian vlerësoi paraqitjen e skuadrës, duke theksuar se kuqezinjtë u përballën në mënyrë të barabartë me një kundërshtar të fortë si Polonia.

“Nuk më pëlqen të humbas, por më jep kënaqësi ajo që ndodhi në fushë. U përballëm si të barabartë me një skuadër të madhe, çka tregon se kemi bërë progres dhe kemi fituar eksperiencë,” u shpreh Sylvinho.

Ai nënvizoi se ekipi ka bërë një paraqitje të mirë, veçanërisht në pjesën e parë, ndërsa kërkoi durim për të ardhmen, duke rikujtuar rrugëtimin pozitiv të viteve të fundit.

“Nëse kthehemi pas në kohë, askush nuk do ta mendonte që Shqipëria do të arrinte në Europian dhe më pas në play-off-et e Botërorit. Kjo skuadër ka treguar rritje të vazhdueshme,” shtoi ai.

Duke folur për përbërjen e ekipit, trajneri theksoi realitetin me të cilin përballet Shqipëria në krahasim me kombëtaret elitare.

“Ne nuk jemi Brazili që të zgjedhim lojtarë me minuta të shumta. Kemi aktivizuar lojtarët më të mirë që kemi në dispozicion dhe ata kanë dhënë maksimumin,” deklaroi Sylvinho.

Në lidhje me të ardhmen e tij në krye të kombëtares, ai preferoi të mos japë një përgjigje konkrete, duke u fokusuar te ndeshjet e ardhshme.

“Për momentin nuk mendoj për këtë. Duhet të përqendrohemi te sfida e radhës ndaj Ukrainës,” përfundoi trajneri.

Pavarësisht eliminimit, performanca e Shqipërisë në këtë cikël kualifikues konsiderohet si një hap përpara, duke reflektuar rritjen dhe konkurrueshmërinë e skuadrës në arenën ndërkombëtare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit