Transmetuar më 27-03-2026, 07:33

Trajneri i Kosovës, Franco Foda, është shprehur i kënaqur pas fitores spektakolare 3-4 ndaj Sllovakisë në Bratislavë, në kuadër të gjysmëfinaleve të play-off-it për Kupën e Botës 2026.

Pas një ndeshjeje me ritëm të lartë dhe plot gola, tekniku i “dardanëve” vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij, duke theksuar karakterin dhe efikasitetin në fazën sulmuese.

“Ka qenë një ndeshje fantastike për tifozët, me shumë gola. Jam krenar për skuadrën që arritëm të shënojmë katër herë, për posedimin e topit dhe mënyrën si dolëm në tranzicion,” deklaroi Foda.

Megjithatë, ai nuk kurseu kritikat për fazën mbrojtëse, duke nënvizuar se pësimi i tre golave mbetet shqetësues. “Pranuam tre gola, dy prej tyre nga goditjet standarde. Duhet të shohim si do të reagojmë në vijim, pasi jo gjithmonë mund të shënojmë katër gola për të fituar,” shtoi ai.

Duke parë përpara drejt finales së play-off-it, ku Kosova do të përballet me Turqinë më 31 mars në Prishtinë, Foda paralajmëroi për vështirësinë e sfidës.

“Turqia është një kundërshtar shumë i fortë, me futbollistë cilësorë. Duhet të tregojmë më shumë qetësi dhe të shmangim gabimet që bëmë në këtë ndeshje,” theksoi trajneri.

Fitorja ndaj Sllovakisë e afron Kosovën një hap më pranë realizimit të ëndrrës për kualifikim në Kupën e Botës 2026, ndërsa përballja me Turqinë pritet të jetë vendimtare për historinë e përfaqësueses.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit