

Shqipëria mposhtet në Varshavë, përmbysje në pjesën e dytë nga Polonia
Kombëtarja shqiptare nuk arriti të marrë rezultat pozitiv në transfertën ndaj Polonisë, duke u mposhtur 2-1 në një ndeshje ku avantazhi i pjesës së parë nuk mjaftoi për të marrë pikë duke shuar ëndrrën e Shqipërisë për Botërorin.
Kuqezinjtë e nisën takimin me kujdes, duke mos marrë shumë rreziqe në sulm dhe duke ia lënë iniciativën vendasve. Polonia, e fokusuar te Lewandowski, u përpoq të impononte ritëm dhe presion, por Shqipëria arriti të mbrohej mirë dhe të mbante balancën.
Në minutën e 15’, Shqipëria pësoi një goditje me dëmtimin e Ajetit, i cili u detyrua të largohej nga fusha. Në vend të tij u aktivizua Ismajli, i cili u përshtat menjëherë në repartin mbrojtës.
Loja u zhvillua kryesisht në mesfushë, me Shqipërinë që gradualisht filloi të fitonte terren, sidomos nga krahu i majtë me kombinimet Mitaj–Hoxha. Rasti i parë serioz erdhi në minutën e 36’, kur Laçi provoi me një goditje të fortë.
Avantazhi erdhi në minutën e 42’, kur një top i gjatë nga Hysaj gjeti të papërgatitur mbrojtjen polake. Bednarek gaboi në ndërhyrje dhe Arbër Hoxha përfitoi duke shënuar me qetësi për 0-1.
Në pjesën e dytë, Shqipëria e nisi mirë dhe pati mundësinë për të dyfishuar rezultatin në minutën e 54’, por Bajrami humbi një rast të pastër.
Ky moment rezultoi vendimtar, pasi Polonia reagoi dhe barazoi në minutën e 63’. Lewandowski përfitoi nga një goditje këndi dhe nga një moment pasigurie në mbrojtjen shqiptare, duke shënuar për 1-1.
Shqipëria pati një tjetër mundësi të mirë në minutën e 72’, kur Broja asistoi për Pilon, por tentativa nuk u konkretizua.
Vetëm një minutë më pas, Polonia përmbysi rezultatin me Zielinskin, i cili shënoi me një goditje nga distanca për 2-1.
Pavarësisht ndryshimeve të bëra nga trajneri Silvinjo, përfshirë aktivizimin e Muçit, Shqipëria nuk arriti të reagojë dhe të rikthejë baraspeshën.
Me këtë humbje, kuqezinjtë humbasin një mundësi të rëndësishme, ndërsa Polonia siguron një fitore me peshë për vazhdimin e rrugës në grup.
Rezultati:
Poloni 2-1 Shqipëri
Hoxha 42′, Lewandowski 63’, Zielinski 73’
LIVE / Poloni 2 – 1 Shqipëri. Shuhen shpresat për Botërorin
Minutë pas minute:
Mbyllet ndeshja, shuhet dhe ëndrra për të shkuar në Botërorin e Futbollit.
97′ Është minuta e fundit. Një tjetër përpjekje e polakëve për gol të tretë, por dështon.
96′ Edhe 2 minuta lojë, proteston Gjimshiti ndaj gjyqtarit, loja vazhdon me topin nën kontrollin e polakëve.
94′ Pritet që ndeshja të mbyllet pas minutës së 97-të.
90′ Koha shtesë prej 5 minutash nuk ka nisur, ikën Lewandowski, autori i golit të barazimit.
90′ Është minuta e fundit e kohës së rregullt. Gjyqtari jep pesë minuta shtesë. Ka ndërprerje të lojës.
87′ Faull i fituar për Mario Mitaj, karton i verdhë për Lewandowski. Vazhdon loja. Ka rivënie anësore për kuqezinjtë. Muçi dhe Hysaj, e më pas Broja. Ka rivënie anësore për ekipin tonë, synohet barazimi. Ndalet loja, faull dhe karton i verdhë për Asllanin, pengoi duke goditur në këmbë numrin 21 të Polonisë, Petishefski.
85′ Pesë minuta nga përfundimi i kohës së rregullt, Polonia kryeson ndaj Shqipërisë në shtëpinë e saj.
82′ Ikën Laçi, vjen Muçi
81′ Largohet autori i golit të dytë polak, Zielinski. Vjen Moder
74′ Shënon sërish Polonia, kalon në avantazh me një gol nga Zielinski.
72′ Broja dhe Pilo humbin një shans shumë të mirë për gol të dytë avantazhi.
68′ Largohet Nedim Bajrami, vjen Broja
67′ Largohet Arbër Hoxha, autori i golit, vjen në fushë Pilo
63′ – Gol Lewandowski. Barazon Polonia.
Robert Lewandowski shënon gol dhe barazon rezultatin në 1:1. Pas një goditjeje këndi që mbrojtja shqiptare kishte larguar më parë, Lewandowski gjen hapësirë dhe dërgon topin në rrjetë
54′ Hysaj ecën drejt zonës dhe e pason për Bajramin, i cili brenda zonës nuk godet siç duhet.
46′ Zëvendësim te polakët. Largohet Rozga dhe në vendin e tij futet Pietuszewski.
46′ Nis pjesa e dytë!
43′- Goooool Shqipëria, realizon Arbër Hoxha! Ndizen shanset për Botërorin.
Një gabim i mbrojtjes polake dhuron mundësinë perfekte për Arbër Hoxhën (Shqipëri), i cili nga afër e dërgon topin në rrjetë. Shqipëria kalon në avantazh.
37- Goditja e Laçit përfundon mbi portë.
26- Gjuajtje nga larg e Laçit, pret portieri! Minuta me ritëm të kënaqshëm.
17- Del nga fusha Ajeti i dëmtuar. Aktivizohet Ismajli.
7’ Pas zhvillimit të një goditje nga këndi, topi shkon rrezikshëm drejt portës, me Hysajn i cili me kokë e largon nga katërkëndori.
5′ Lewandowski provon me një gjuajtje brenda zonës, por topi devijohet dhe shkon në këndore.
1′ Nis ndeshja në Varshavë!
Ndeshja

E gjithë vëmendja është e spostuar në Varshavë, ku Shqipëria ka lënë takim me historinë. Kuqezinjtë luajnë ndaj Polonisë në orën 20.45 në gjysmëfinalen e play off të Botërorit, në një nga ndeshjet që mund të konsiderohet më të rëndësishmet për vendin tonë. Pak më parë janë bërë publike edhe formacionet zyrtare, me trajnerin Sylvinho dhe homologun Jan Urban që kanë shuar dilemat për titullarët. Ashtu siç pritej, nga minuta e parë luajnë më të mirët.
I kushtëzuar nga mungesat e Manaj dhe Daku, Sylvinho luan në sulm me Uzunin dhe Hoxhën, ndërsa pas tyre qëndron Shehu. Në mesfushë janë Bajrami, Laçi dhe Asllani. Mbrojtja përbëhet nga Mitaj, Ajeti, Gjimshiti dhe Hysaj. Në portë i konfirmuar Strakosha.
Befason Sylvinho, i cili lë në stol Muçin dhe Mehmetin. Ndeshja luhet në PGE Narodowy stadium.
Shqipëria: Strakosha; Mitaj, Gjimshiti, Ajeti, Hysaj; Asllani, Shehu, Laçi; Hoxha, Bajrami, Uzuni.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






