

Prishtinë, 26 Mars 2026
I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plava, ka ndryshuar deklaratën e tij gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke pretenduar se krimi është kryer në marrëveshje me bashkëshortin e viktimës, Naim Murseli.
Gjatë dëshmisë së tij, Plava u tërhoq nga deklarata e dhënë më herët në Polici, duke thënë se ajo ishte bërë në bazë të një marrëveshjeje me Murselin dhe se tani po tregon të vërtetën.
Ai deklaroi se kishte pranuar të merrte përgjegjësinë për veprën, ndërsa pretendon se Murseli i kishte premtuar se nuk do të qëndronte më shumë se dy vite në burg dhe se do të përfitonte punë, pagë mujore dhe një automjet luksoz.
Plava shtoi se ishte takuar disa herë me Murselin dhe se marrëveshja ishte diskutuar edhe në ditën e ngjarjes. Sipas tij, vetëm më vonë kishte kuptuar se viktima ishte bashkëshortja e Murselit.
Ai përmendi gjithashtu emrin e ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, duke pretenduar se ishte në dijeni për rastin. Për këtë deklaratë nuk ka ende një reagim zyrtar.
Nga ana tjetër, Naim Murseli ka mohuar akuzat, duke këmbëngulur se në natën e vrasjes ai dhe bashkëshortja e tij kishin rënë pre e një grabitjeje. Ai ka pranuar se kishte blerë armën nga Plava, por ka pretenduar se ishte një marrëveshje për rishitje.
Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se ka planifikuar vrasjen për motive hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jete në vlerë rreth 260 mijë euro. Në këtë çështje akuzohet edhe Kushtrim Kokalla, ndërsa Plava dyshohet si ekzekutori i krimit.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës, një ngjarje që shkaktoi reagime të forta publike në Kosovë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






