

Tiranë, 26 Mars 2026
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria nuk ka më shumë korrupsion se vendet e tjera europiane, duke kundërshtuar stereotipet që lidhen me krimin e organizuar dhe perceptimet negative për vendin.
Gjatë fjalës së tij në eventin “Matchmaker Albania”, Rama theksoi se zhvillimet ekonomike dhe rritja e investimeve janë prova konkrete e ndryshimit të imazhit të Shqipërisë.
“Kur njerëzit flasin për Shqipërinë bien pre e disa stereotipeve si korrupsioni dhe krimi i organizuar. Por kjo nuk është Shqipëria. Ne nuk kemi më shumë korrupsion se çdo vend tjetër,” u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, vendi ka arritur të tërheqë rreth 1.6 miliardë euro investime të huaja në vit, ndërsa numri i turistëve ka arritur në 12 milionë, duke e kthyer Shqipërinë në një destinacion gjithnjë e më tërheqës.
Rama shtoi se qeveria synon rritjen e eksporteve në 1 miliard euro, zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe arritjen e sovranitetit të plotë energjetik deri në fund të dekadës, përmes diversifikimit dhe inovacionit në sektorin e energjisë.
Ai veçoi gjithashtu turizmin dhe bujqësinë si sektorë kyç të zhvillimit, duke theksuar se vendi po synon investime më cilësore dhe një model të ri zhvillimi ekonomik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






