

Tiranë – Një rregullore e re për shfrytëzimin e hapësirave publike parashikon që baret, restorantet dhe hotelet të mund të përdorin deri në 25% të trotuareve për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve, por me një kusht të ri: për çdo karrige të vendosur, biznesi duhet të mbjellë një pemë.
Sipas përcaktimeve, leja për përdorimin e hapësirës publike do të konsiderohet e vlefshme vetëm pasi subjekti të ketë dokumentuar mbjelljen e pemëve dhe të ketë përmbushur të gjitha detyrimet financiare dhe tatimore.
Rregullorja kërkon gjithashtu që të mos pengohet lëvizja e këmbësorëve, duke detyruar bizneset të lënë të lirë një hapësirë prej të paktën 2 metrash në trotuar.
Ndalohet vendosja e pengesave si barriera, vazo dekorative, tapete apo struktura të tjera mbi hapësirat e gjelbëruara. Po ashtu, nuk lejohet përdorimi i zgarave në trotuar pa sistem aspirimi të përshtatshëm.
Lejet do të jepen nga bashkitë përmes aplikimeve online dhe do të kenë një afat vlefshmërie deri në 2 vite, me mundësi rinovimi. Për aktivitete të përkohshme, leja mund të jepet deri në 30 ditë.
Në rast të shkeljeve, bizneset fillimisht do të paralajmërohen për të korrigjuar situatën brenda një afati të shkurtër. Nëse rregullat nuk respektohen, ato rrezikojnë gjoba të larta dhe deri në heqjen e lejes për përdorimin e hapësirës publike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






