Transmetuar më 25-03-2026, 23:00

Shqipëria do të përballet me kushte të paqëndrueshme të motit ditën e nesërme, me reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës. Në qarqet Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër parashikohen reshje mesatare, ndërsa në Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Korçë reshjet priten të jenë të dobëta deri lokalisht mesatare.

Në bazë të parashikimit hidrometeorologjik, brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, gjatë së enjtes dhe të premtes, duke filluar nga ora 06:00 e datës 26.03.2026, pritet erë nga drejtimi Jug–Juglindje me forcë deri në 6–7 ballë të Beaufortit, shpejtësi 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh 1.50–2.50 metra. Për këtë arsye:

Është ndaluar lundrimi i mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit jashtë Gjirit të Vlorës, nga ora 06:00 e 26.03.2026 deri në ora 06:00 të 27.03.2026. Anija pasagjere e linjës Vlorë–Brindisi–Vlorë ka anuluar nisjen dhe mbërritjen në Portin e Vlorës për ditën e nesërme. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve të tyre.

Përmirësimi i kushteve për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 27.03.2026.

Po ashtu, raportohet se një makinë është përmbysur në Shkallën e Tujanit, ku shoferi ka mbetur i plagosur rëndë.

Këshillohet qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjeve dhe të ndjekin paralajmërimet e autoriteteve për sigurinë në rrugë dhe det.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit